Shërbimi Federal i Inteligjencës në Zvicër ka bërë të ditur se do të hapë më në fund dosjet e mbajtura prej vitesh sekret për kriminelin famëkeq nazist Josef Mengele, i njohur si “Engjëlli i Vdekjes” i Aushvicit.
Autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë ende një datë konkrete se kur dokumentet do të bëhen publike, ndërsa historianët prej vitesh kishin kërkuar qasje në këto dosje, kërkesa që deri tani ishin refuzuar.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Mengele u arratis nga Evropa dhe për vite me radhë kanë qarkulluar dyshime se ai ka qëndruar edhe në Zvicër, megjithëse ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar.
Mengele ishte mjek në trupat elitare naziste Waffen SS dhe shërbeu në kampin famëkeq të përqendrimit Auschwitz concentration camp, në Poloninë e pushtuar nga nazistët.
Ai përzgjidhte të burgosurit që do të dërgoheshin në dhomat e gazit, ku vlerësohet se humbën jetën rreth 1.1 milion njerëz, mes tyre afro një milion hebrenj.
I njohur për eksperimentet çnjerëzore mbi të burgosurit, kryesisht fëmijë dhe binjakë, Mengele kryente prova mizore mjekësore para se viktimat të dërgoheshin drejt vdekjes.
Pas luftës, ai ndryshoi identitetin dhe, me ndihmën e dokumenteve të udhëtimit të Kryqit të Kuq të lëshuara në konsullatën zvicerane në Xhenova të Italisë, arriti të arratisej drejt Amerikës së Jugut.
Dokumentet e Kryqit të Kuq ishin krijuar për personat e zhvendosur ose pa shtetësi pas luftës, por edhe shumë nazistë i përdorën për t’i shpëtuar ndjekjes penale, për çka organizata ka kërkuar falje vite më vonë.



