Vullkani Etna, më i madhi aktiv në Evropë, ka dhuruar pamje spektakolare pas shpërthimit të fundit, teksa një lumë llave me ngjyrë portokalli të ndezur ka rrjedhur përgjatë shpateve të tij.
Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë lavën verbuese duke gjarpëruar në shpatet e vullkanit, duke krijuar një gjurmë të ndritshme që shtrihet të paktën 300 metra poshtë pikës së shpërthimit.
Shpërthimi ndodhi të premten e kaluar në malin Etna, i cili ndodhet në ishullin italian të Siçilisë.
Sipas Observatorit të Etnës, pranë Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, aktiviteti vullkanik nisi në një lartësi rreth 3,000 metra mbi nivelin e detit.
Fenomeni ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe turistëve, ndërsa Etna vijon të mbetet një nga vullkanet më aktivë dhe më të monitoruar në botë.



