Një nga dorëshkrimet më të hershme dhe më të rralla të legjendave të Mbreti Arthur dhe Merlin mund të shitet deri në 2 milionë paund në ankand këtë verë, pasi për më shumë se 700 vjet ka qëndruar në duar private.
Dorëshkrimi mesjetar, i njohur si “Lebaudy Manuscript”, do të dalë në shitje nga Christie's më 8 korrik, me një vlerësim prej 1.5 deri në 2 milionë paund.
Vepra daton nga fundi i shekullit të 13-të dhe përmban versione të hershme të ciklit francez “Lancelot-Graal”, ku rrëfehen historitë e Mbretit Artur, Graalit të Shenjtë dhe aventurave të kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët.

Dorëshkrimi përfshin 126 ilustrime miniaturë të zbukuruara me fletë ari, ndërsa një nga pamjet më të rralla paraqet Merlinin të transformuar në një dre që flet.
Sipas ekspertëve, vetëm tre dorëshkrime të ngjashme ndodhen ende në koleksione private, ndërsa ky konsiderohet më i hershmi dhe më i pasuri në ilustrime.
Drejtori i departamentit të dorëshkrimeve mesjetare në Christie's, Eugenio Donadoni, tha se teksti i dorëshkrimit është unik dhe përmban variante të rralla të rrëfimeve arturiane.

Ekspertët besojnë se dorëshkrimi është realizuar nga “Mjeshtri i Apokalipsit të Liège-ut”, një artist anonim i njohur për stilin e tij karakteristik dhe përdorimin e pasur të arit në ilustrime.
Studiuesja Irene Fabry-Tehranchi e cilësoi shitjen si një mundësi të rrallë, pasi dorëshkrimi jo vetëm që përmban histori të jashtëzakonshme arturiane, por edhe versione të ripunuara të rrëfimeve, që hedhin dritë mbi mënyrën se si shkruesit mesjetarë përshtatnin tekstet sipas shijeve dhe interesave të kohës.



