Gjiganti energjetik rus, “Gazprom”, paralajmëron se Bashkimi Evropian mund të përballet me mungesa gazi, pasi rezervat nën tokë kanë rënë nën 60%, një nivel që zakonisht regjistrohet vetëm në fund të janarit.
Sipas një postimi në Telegram të martën, duke u bazuar në të dhënat e Gas Infrastructure Europe (GIE), më 4 janar rezervat nën tokë të gazit ishin vetëm 59.9% të mbushura, rreth 13% më poshtë se norma pesëvjeçare për këtë periudhë të vitit.
Nga raportimet e Russia Today, rëniet më të mëdha janë regjistruar në qendrat kryesore të magazinimit, si Gjermania dhe Holanda, konsumatoret më të mëdha të BE-së. Nivelet në Holandë kanë rënë në 46.1%, ndërsa në Gjermani ato janë vetëm 54.1% të mbushura. Gazprom njoftoi se që nga fillimi i sezonit të ngrohjes janë tërhequr 23.6 miliardë metra kub gaz, pothuajse gjysma e vëllimit të futur para dimrit.
“Kjo tkurrje e shpejtë e rezervave nën tokë mund të rrezikojë furnizimin e besueshëm të gazit gjatë valëve të ftohta,” paralajmëroi Gazprom, duke shtuar se moti më i ftohtë se zakonisht në fund të dhjetorit ka rritur kërkesën për ngrohje në të gjithë Evropën. Parashikimet tregojnë se temperaturat gjatë gjysmës së parë të janarit do të bien në nivelin më të ulët në 15 vjet.
BE-ja ka reduktuar importet e energjisë nga Rusia, që më parë përbënin rreth 40% të konsumit, pas sanksioneve të vendosura pas eskalimit të konfliktit në Ukrainë në shkurt 2022. Sipas planit RePower, Brukseli synon të eliminojë importet e gazit rus deri në vitin 2027.
Nga ana tjetër, Moska ka kritikuar sanksionet evropiane si “vetë-dëmtuese” dhe ka paralajmëruar se heqja graduale e gazit rus do të rrisë çmimet dhe do të dëmtojë konkurrencën e BE-së.



