Qeveria e Mbretëria e Bashkuar ka publikuar udhëzime të reja për përdorimin e ekraneve nga fëmijët e vegjël, duke rekomanduar që ata nën pesë vjeç të mos kalojnë më shumë se një orë në ditë përpara pajisjeve digjitale.
Sipas këtyre këshillave, fëmijët nën dy vjeç duhet të shmangin pothuajse plotësisht ekranet, përveç rasteve kur përdorimi bëhet në mënyrë të përbashkët me prindërit dhe nxit ndërveprim.
Udhëzimi është hartuar nga një panel ekspertësh i udhëhequr nga Komisionerja për Fëmijët, Rachel de Souza, dhe profesori i shëndetit të fëmijëve, Russell Viner.
Kryeministri Keir Starmer deklaroi se masat synojnë të ndihmojnë prindërit në përballimin e sfidave të rritjes së fëmijëve në një botë të dominuar nga teknologjia.
Për fëmijët nga dy deri në pesë vjeç, prindërit këshillohen të kufizojnë kohën në maksimum një orë në ditë, duke shmangur përmbajtjet me ritëm të shpejtë apo ato të bazuara në inteligjencë artificiale.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i tepërt i ekraneve ndikon negativisht në zhvillimin gjuhësor, gjumin, aktivitetin fizik dhe ndërveprimin social të fëmijëve. Përkundrazi, aktivitetet si leximi i përrallave, lojërat në familje dhe komunikimi i drejtpërdrejtë konsiderohen thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm.
Ndërkohë, qeveria po shqyrton edhe masa të tjera, përfshirë kufizime të mundshme për përdorimin e mediave sociale nga të rinjtë nën 16 vjeç, në një përpjekje për të mbrojtur mirëqenien e brezit të ri.



