Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë një “emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar”, pas konfirmimit të rasteve ndërkufitare që kanë ngritur frikën për një përhapje më të gjerë në rajon.
Sipas autoriteteve shëndetësore, shpërthimi lidhet me variantin vdekjeprurës Bundibugyo të virusit Ebola.
Deri tani janë raportuar rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 viktima, kryesisht në lindje të Kongos, ndërsa masat emergjente janë forcuar në të gjithë Afrikën Qendrore.
Megjithatë, OBSH theksoi se situata ende nuk i plotëson kriteret për t’u konsideruar pandemi globale.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se ekziston ende “pasiguri e konsiderueshme” lidhur me numrin real të të infektuarve dhe shtrirjen gjeografike të virusit.
Sipas OBSH-së, shpërthimi aktual shkaktohet nga varianti Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara.
Agjencia konfirmoi se deri më tani janë identifikuar tetë raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa raste të tjera të dyshuara dhe viktima janë raportuar në tri zona shëndetësore, përfshirë Bunian, kryeqytetin e provincës Ituri, si dhe qytetet minerare Mongwalu dhe Rwampara.
Virusi tashmë është përhapur edhe jashtë territorit të Republikës Demokratike të Kongos.
Dy raste të konfirmuara janë raportuar në Ugandën fqinje.
Autoritetet ugandane njoftuan se një burrë 59-vjeçar, i cili ndërroi jetë të enjten, kishte rezultuar pozitiv me virusin Ebola.
Ekspertët paralajmërojnë se vendet kufitare me Republikën Demokratike të Kongos mbeten në rrezik të lartë për përhapje të mëtejshme të virusit, për shkak të lëvizjes së popullsisë, tregtisë dhe udhëtimeve të shpeshta ndërkufitare.



