Një alpinist austriak është shpallur fajtor për vrasje të rëndë nga pakujdesia, pasi e dashura e tij ngriu për vdekje në malin më të lartë të Austrisë vitin e kaluar.
Burri, i identifikuar vetëm si Thomas P., në përputhje me ligjet austriake të privatësisë, është dënuar me pesë muaj burgim me kusht dhe është gjobitur me 9600 euro.
E dashura e tij, Kerstin G., vdiq nga hipotermia gjatë një ngjitjeje në malin Grossglockner në janar 2025.
Në një deklaratë dërguar BBC, gjykata tha se e konsideronte të kaluarën e pastër të Thomas P., dhe humbjen e një personi të afërt me të si faktorë lehtësues.
U mor në konsideratë edhe diskutimi publik në mediat sociale, i cili ishte inkriminues për të pandehurin.
Gjykatësi, Norbert Hofer, një alpinist me përvojë që punon me ekipet e shpëtimit në male dhe me helikopterë në Tirol, tha se Thomas P., ishte një alpinist i shkëlqyer, por se e dashura e tij ishte vite dritë pas tij për sa i përket aftësive të saj në ngjitje.
Ai tha se çifti duhej të ishte kthyer prapa pasi Kerstin G., nuk kishte përvojë të mjaftueshme në kushtet e dimrit.
Gjykata dëgjoi edhe dëshminë e Andrea B., ish-të dashurës së Thomas P., e cila përshkroi se si ai e kishte lënë vetëm në një turne të mëparshëm në Grossglockner në vitin 2023.
Ajo tha se kishte qenë në fund të fuqisë, duke ndjerë marramendje. Ajo tha se po qante dhe bërtiste kur ai papritmas u zhduk, duke ecur përpara dhe duke e lënë pas.
Sipas raportimeve në median austriake, gjykata dëgjoi se si ekipi i shpëtimit malor e gjeti trupin e Kerstin të varur përmbys në një shkëmb.
Prokuroria tha se kishte erëra të forta deri në 74 km/orë dhe ishte shumë ftohtë, -8 gradë Celsius.
Ata argumentuan se si alpinisti më me përvojë, Thomas P., ishte udhëzuesi përgjegjës për turin.
Ata thanë se ai nuk u kthye ose nuk thirri ndihmë në kohë për të ndihmuar të dashurën e tij.
Thomas P., nuk duhej ta kishte lejuar kurrë veten të futej në këtë situatë, tha prokurori.
Nga ana e tij Thomas P., e deklaroi veten të pafajshëm. Ai i tha gjykatës se i vinte shumë keq. Ai tha se e kishte dashur të dashurën e tij, e cila ishte shumë sportive dhe se e kishin planifikuar udhëtimin së bashku.
Avokati i tij, Kurt Jelinek, tha se çifti e kishte gjetur veten në një situatë vërtet të vështirë dhe stresuese. Ai tha se Kerstin nuk ishte e papërvojë dhe e dinte se në çfarë po përfshihej.
Prokurorët thonë se çifti ngeci në mal dhe se burri nuk e telefonoi policinë dhe nuk dërgoi asnjë sinjal shqetësimi kur një helikopter policie fluturoi sipër tyre rreth orës 22:30.



