Pothuajse 6000 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në Spanjën veriore, qendrore dhe jugore, ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen mes një vale të nxehti që ka shkaktuar temperatura deri në 44 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
I nxehti vdekjeprurës në pjesë të mëdha të Evropës ka krijuar atë që shkencëtarët e kanë quajtur një “koktej molotovi” kushtesh klimatike që po nxit zjarre të mëdha.
Një burrë i përfshirë nga flakët të hënën në mbrëmje në Tres Cantos, pranë Madridit, vdiq në spital pasi pësoi djegie në 98% të trupit. Zjarri i përshkruar nga ministri i Mjedisit si me “karakteristika shpërthyese për shkak të një stuhie të thatë që ka sjellë erëra me shpejtësi mbi 70 km/orë” po vihej nën kontroll të martën në mëngjes, ky 180 persona u detyruan të evakuoheshin dhe të kalonin natën në qendrat sportive lokale.
Në rajonin veriperëndimor të Castilla y Leon, më shumë se 3700 persona u evakuuan nga 16 komuna. Dhjetë zjarre ishin ende aktive të martën dhe vendi minerar i epokës romake në Les Medulas, i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, u dëmtua nga flakët.
Në qytetin jugor të Tarifës, zjarrfikësit dhe aeroplanët po luftonin ende me një zjarr që shpërtheu të hënën, me 2000 persona të evakuuar.
Zjarret kanë bërë që ministria e Brendshme të shpallë një “fazë para-emergjence” për të ndihmuar në koordinimin e burimeve të emergjencës.
Kryeministri, Pedro Sanchez, i shprehu ngushëllimet e tij familjes së personit që vdiq pas zjarrit në Tres Cantos dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për përpjekjet e tyre të palodhura.
Ai u bëri thirrje njerëzve të pranojnë seriozitetin e situatës.
Jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje. Le të tregohemi shumë të kujdesshëm.



