Ushtria iraniane ka paralajmëruar se do të “hapë fronte të reja” kundër Shteteve të Bashkuara nëse Uashingtoni vendos të rifillojë sulmet ndaj Iranit, në një moment kur tensionet mes dy vendeve mbeten të larta dhe diplomacia duket në ngërç.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia, i cili tha se çdo agresion i ri do të përballet me një përgjigje të ashpër dhe me strategji të reja ushtarake.
“Nëse armiku është aq budalla sa të bjerë përsëri në kurthin sionist dhe të nisë agresion të ri kundër Iranit tonë të dashur, ne do të hapim fronte të reja kundër tij, me pajisje dhe metoda të reja”, deklaroi Akraminia për agjencinë iraniane të lajmeve ISNA.
Paralajmërimi vjen ndërsa mediat amerikane raportojnë se presidenti Donald Trump pritet të zhvillojë një takim me këshilltarët e sigurisë kombëtare për të diskutuar opsionet mbi një rifillim të mundshëm të operacioneve ushtarake kundër Iranit, pas ngecjes së negociatave mes palëve.
Situata ka shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe rikthim në dialog diplomatik.



