Autoritetet lokale në Sardenjë kanë vendosur rregulla të reja për një nga plazhet më të frekuentuara të ishullit, duke ndaluar përdorimin e çadrave të diellit për vizitorët e moshës nga 10 deri në 65 vjeç.
Masa do të zbatohet në plazhin Punta Molentis, në jug të ishullit italian, ku vetëm familjet me fëmijë deri në 10 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç do të lejohen të vendosin çadra ose sisteme të tjera për hije.
Sipas autoriteteve të komunës së Villasimius, vendimi është marrë për arsye sigurie, pas një incidenti të ndodhur vitin e kaluar kur një zjarr në zonë detyroi evakuimin e dhjetëra pushuesve. Zyrtarët argumentojnë se numri i madh i çadrave të vendosura në plazh pengoi evakuimin e shpejtë dhe bllokoi rrugët e aksesit.
“Ndalimi synon të garantojë sigurinë e vizitorëve dhe të lehtësojë ndërhyrjet në rast emergjencash”, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Rregullat e reja kanë ngjallur reagime të shumta dhe kritika nga pushuesit, të cilët e konsiderojnë vendimin të tepruar, sidomos gjatë muajve të verës kur temperaturat janë të larta dhe mbrojtja nga dielli është e domosdoshme.
Përveç kufizimit të çadrave, nga 5 qershori deri në fund të tetorit, çdo vizitor që hyn në plazh do të paguajë një tarifë prej 10 eurosh. Personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre do të përjashtohen nga kjo pagesë.
Punta Molentis është një nga destinacionet më të njohura turistike në Sardenjë dhe autoritetet po përpiqen të kontrollojnë mbipopullimin, duke ruajtur njëkohësisht sigurinë dhe mjedisin natyror të zonës.



