Një studim i ri ka zbuluar nivele alarmante të kimikateve toksike PFAS, të njohura si “kimikate të përjetshme”, në ngushticën Solent në jug të Anglisë.
Në disa zona, ndotja rezultoi deri në 13 herë mbi kufijtë e sigurt për ujërat bregdetare. Shkencëtarët identifikuan praninë e këtyre substancave në ujë, tokë dhe organizma detarë, përfshirë specie në zona të mbrojtura mjedisore.
Sipas studiuesve, burimet kryesore të ndotjes janë impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, derdhjet e kanalizimeve, deponitë historike dhe zonat ushtarake pranë Solentit.
Edhe mostrat që nuk tejkalonin kufijtë ligjorë për kimikate individuale rezultuan toksike kur u analizua efekti i kombinuar i PFAS-ve.
Ekspertët paralajmërojnë se problemi nuk kufizohet vetëm në Solent, por mund të jetë i përhapur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ata kërkojnë ndalim më të gjerë të PFAS-ve dhe masa më të forta në reformën e ujit për të parandaluar ndotjen që në burim.



