Ushtria amerikane ka shkatërruar një nëndetëse në Karaibe që po kontrabandonte drogë, tha të premten Presidenti Donald Trump.
Deklarata erdhi pasi SHBA-të kanë goditur 5 anije që nga shtatori, të cilat dyshohet se operoheshin nga kartele me bazë në Venezuelë, qeverinë e të cilave Trump e ka akuzuar për ndihmë ndaj “narkoterroristëve”.
“Ne sulmuam një nëndetëse, dhe ajo ishte një nëndetëse që transportonte drogë e ndërtuar posaçërisht për transportimin e sasive masive të drogës”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Vetëm që ta kuptoni, ky nuk ishte një grup njerëzish të pafajshëm”, shtoi ai.
Mediat amerikane raportuan më parë se, për herë të parë, Marina Amerikane mori disa të mbijetuar dhe i mbajti ata në një anije luftarake.
Trump konfirmoi më parë se kishte autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në tokën venezueliane, por nuk pranoi të thoshte nëse qëllimi i tyre është rrëzimi i presidentit të krahut të majtë Nicolas Maduro.
SHBA-të vendosën sanksione të gjera ndaj vendit të Amerikës së Jugut gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë dhe së fundmi e kanë rritur shpërblimin për arrestimin e Maduros në 50 milionë dollarë.



