Everesti pas 30 vitesh/ Teknologjia e bëri më të sigurt, por mbipopullimi mbetet rreziku kryesor
Tre dekada pas tragjedisë së 10 majit 1996, kur tetë alpinistë humbën jetën në Everest pas një stuhie të papritur, mali më i lartë në botë ka ndryshuar rrënjësisht.
Ngjarja, e bërë e njohur globalisht nga libri “Into Thin Air” i Jon Krakauer, konsiderohet si pika e kthesës që e shndërroi Everestin nga një sfidë elitare alpinistësh në një destinacion për aventurierë nga e gjithë bota.
Sot, falë përparimeve në teknologji, parashikimet e sakta të motit, pajisjeve moderne dhe komunikimit satelitor, ngjitja në Everest është më e sigurt se kurrë. Vetëm më 20 maj të këtij viti, 274 alpinistë arritën majën brenda një dite, duke vendosur rekord të ri.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rreziku kryesor nuk është më moti i paparashikueshëm, por mbipopullimi, mungesa e përvojës së disa alpinistëve dhe operatorët me kosto të ulët që shpesh komprometojnë standardet e sigurisë.
Fotot e radhëve të gjata pranë majës kanë ngritur shqetësime për trafikun në lartësi ekstreme dhe rrezikun e mungesës së oksigjenit.
Ndërkohë, Sherpat nepalezë po marrin rol gjithnjë e më të madh në industrinë e alpinizmit, duke udhëhequr ekspedita, thyer rekorde dhe drejtuar kompani turistike.
Ata mbeten shtylla kryesore e suksesit në Everest, ndërsa kërkojnë mbështetje më të madhe financiare dhe sigurime më të mira për familjet e tyre.
Pavarësisht sfidave, Everesti vazhdon të tërheqë mijëra aventurierë çdo vit, duke mbetur simbol i ëndrrës për të pushtuar majën më të lartë të planetit.



