Të paktën 16 persona, shumica nxënëse, kanë humbur jetën dhe 73 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu gjatë natës konviktin e një shkolle vajzash në Kenia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit në shkollën e vajzave Utumishi Girls School, në qytetin Gilgil, rreth 100 kilometra në veri të Nairobit.
Deri tani autoritetet nuk kanë publikuar një bilanc zyrtar përfundimtar dhe nuk dihet ende mosha e nxënëseve që ndodheshin në konvikt.
Sipas Kryqit të Kuq në Kenia, ekipet e emergjencës janë dërguar menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, dhjetëra prindër të alarmuar janë mbledhur në oborrin e shkollës në pritje të informacioneve për fëmijët e tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe ministri i Brendshëm i Kenias, Kipchumba Murkomen, si dhe zëvendësdrejtori i policisë, Eliud Lagat.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit, ndërsa drejtori i hetimeve kriminale, Mohammed Amin, po mbikëqyr hetimet paraprake në Gilgil.
Kenya ka regjistruar edhe më parë zjarre tragjike në shkolla me konvikte.



