Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Tajvanin që të mos shpallë pavarësinë, duke theksuar se një veprim i tillë mund të përshkallëzojë tensionet me Kinën dhe të çojë në konflikt ushtarak.
Deklarata u bë nga Trump përpara largimit nga Pekini, pas një vizite ku SHBA dhe Kina shfaqën përpjekje për stabilitet në marrëdhënie, por pa arritur marrëveshje të rëndësishme për çështje si tregtia apo Irani.
“Nuk dua që dikush të shpallë pavarësinë dhe më pas ne të duhet të bëjmë 15 mijë kilometra për të shkuar në luftë”, është shprehur Trump në një intervistë për Fox News.
Ai shtoi se nuk dëshiron që Tajvani të mendojë se mund të shpallë pavarësinë sepse mbështetet nga SHBA-ja, ndërsa theksoi se ende nuk ka marrë një vendim për shitjen e armëve ndaj ishullit.
“Dua që Tajvani të ulë tensionet. Dua që edhe Kina të ulë tensionet”, deklaroi presidenti amerikan.
Pas deklaratave të Trump, ka reaguar qeveria e Taivanit, duke theksuar se vendi është një shtet sovran dhe i pavarur. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme tajvaneze u shpreh se “Tajvani është një komb demokratik, sovran dhe i pavarur, që nuk i nënshtrohet Republikës Popullore të Kinës”.
Autoritetet tajvaneze shtuan gjithashtu se politika e United States ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar.



