
Fjalëkalimi për të hyrë në sistemet e sigurisë së muzeut më të famshëm të Francës? Ishte “Louvre”. Kjo pakujdesi, e kombinuar me të meta të tjera, e bëri grabitjen sensacionale edhe më të lehtë.
Me shumë mundësi grabitja nuk u krye nga kriminelë me përvojë ose organizata të mëdha, por nga hajdutë me profil të ulët, të cilët, në sytë e hetuesve, ishin pothuajse të pa dyshuar.
Kjo u deklarua nga kryeprokurorja e Parisit, Laure Beccuau, e cila, në një intervistë me France Info, shpjegoi se dy të dyshuarit, banorë të periferive veriore të Parisit, ishin kriminelë me profil të ulët, profilet e të cilëve nuk korrespondojnë me ato që lidhen përgjithësisht me nivelet më të larta të krimit të organizuar.
Ndërkohë, dy javë pas grabitjes së muzeut të Luvrit, mallrat e vjedhura ende nuk janë rikuperuar, xhevahire të Kurorës me vlerë gati 90 milionë euro.
Ministrja e Kulturës Rachida Dati pranoi mangësitë në siguri. Një raport nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike arriti në përfundimin dhjetë vjet më parë: “Kushdo që kontrollon rrjetin e Luvrit mund të lehtësojë vjedhjen e veprave të artit”.
Katër persona janë aktualisht në burg, dy u arrestuan javën e kaluar dhe dy të tjerë u ndaluan të shtunën, më 1 nëntor. Dy të ndaluarit e fundit janë një çift me fëmijë: një burrë 37-vjeçar me njëmbëdhjetë dënime të mëparshme për vjedhje, vjedhje të rënduar, kundërvajtje rrugore dhe akte dhune dhe një grua 38-vjeçare.
Pavarësisht akuzave, ata vazhdojnë të mohojnë çdo përfshirje. Burri, i cili ka refuzuar të dëshmojë, akuzohet për vjedhje të rënduar në një grup të krimit të organizuar dhe konspiracion kriminal, ndërsa gruaja po hetohet për bashkëpunim në të njëjtat krime.
Me lot në sy para gjykatës së Parisit të shtunën, gruaja tha se kishte frikë për veten dhe fëmijët e saj. Çifti u arrestua pasi gjurmë të ADN-së së tyre u gjetën në shportën e ashensorit të përdorur gjatë grabitjes.



