Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Nicolas Maduron për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tij ndaj udhëheqësit venezuelian përballë “presionit të jashtëm në rritje”, një referencë e qartë për operacionet e nisura nga administrata e Donald Trump kundër Venezuelës, i fundit prej të cilave ishte sekuestrimi i një cisterne nafte.
Lajmin e njoftoi Kremlini me anë të një deklarate.
“Vladimir Putin shprehu solidaritet me popullin venezuelian dhe riafirmoi mbështetjen e tij për kursin e qeverisë Maduro, e cila synon mbrojtjen e interesave kombëtare dhe sovranitetit përballë presionit të jashtëm në rritje”, thuhet në deklaratën e Kremlinit, sipas Tass.
Gjatë telefonatës, të dy krerët e shteteve shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Venezuelës në përputhje me marrëveshjen e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit që hyri në fuqi në nëntor të këtij viti.
Të dyja palët, riafirmuan angazhimin e tyre të ndërsjellë për zbatimin e vazhdueshëm të projekteve të përbashkëta në tregti, ekonomi, energji, financë, kulturë, ndihmë humanitare dhe fusha të tjera.



