Qeveria e Suedisë ka miratuar paketën e 21-të të ndihmës ushtarake për Ukrainën që nga nisja e luftës, me një vlerë totale prej rreth 1.2 miliardë euro.
Sipas Reuters, fokusi kryesor i kësaj pakete është forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit. Pjesa qendrore e ndihmës është sistemi ajror Tridon Mk2, i njohur për efikasitetin kundër dronëve dhe kërcënimeve të tjera ajrore.
Rreth 400 milionë euro do të shkojnë për blerjen e sistemeve Tridon Mk2, sensorëve, robotëve dhe artilerisë kundërajrore.
Ndërkohë, 524 milionë euro do të përdoren për të mbështetur prodhimin ukrainas të raketave me rreze të gjatë dhe dronëve, ndërsa 280 milionë euro të tjera janë parashikuar për mina, artileri, pjesë rezervë dhe trajnime për personelin ushtarak ukrainas.
Zyrtarët suedezë theksuan se qëllimi i paketës është rritja e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës dhe mbrojtja e popullsisë dhe territorit nga sulmet ajrore, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme perëndimore ndaj Kievit përballë agresionit rus.



