Policia iraniane arrestoi 21 mijë të dyshuar gjatë luftës 12-ditore të vendit me Izraelin në muajin qershor, deklaroi të martën një zëdhënës i zbatimit të ligjit.
Pas sulmeve ajrore izraelite që filluan më 13 qershor, forcat iraniane të sigurisë nisën një fushatë arrestimesh, me një prani të madhe të forcave të sigurisë në rrugët përreth pikave të kontrollit, ndërsa qytetarëve u kërkohej të raportonin individë për veprime të dyshimta.
“Pati një rritje prej 41% të thirrjeve nga publiku, gjë që çoi në arrestimin e 21.000 të dyshuarve gjatë luftës 12-ditore”, tha zëdhënësi i policisë Saeed Montazerolmahdi.
Ai nuk dha arsyet e sakta për arrestimet, por Teherani ka akuzuar persona për dhënien e informacionit që mund të ketë ndihmuar në udhëzimin e sulmeve izraelite.
Lufta Izrael-Iran ka çuar në një ritëm të përshpejtuar të deportimeve të emigrantëve afganë të cilët besohet se janë në Iran ilegalisht, ndërsa agjencitë e ndihmës raportojnë se autoritetet lokale kishin akuzuar disa shtetas afganë për spiunazh për Izraelin.
“Autoritetet e zbatimit të ligjit arrestuan 2774 emigrantë të paligjshëm dhe zbuluan 30 raste sigurie duke shqyrtuar telefonat e tyre. Gjithashtu u arrestuan 261 të dyshuar për spiunazh dhe 172 persona të akuzuar për regjistrim videosh të paautorizuara”, shtoi zëdhënësi.
Montazerolmahdi nuk specifikoi se sa prej të arrestuarve janë liruar që atëherë.
Ai shtoi se policia e Iranit trajtoi më shumë se 5700 raste të krimit kibernetik, si mashtrimet online dhe tërheqjet e paautorizuara, gjatë luftës, e cila sipas tij, e ka shndërruar hapësirën kibernetike në një fushëbetejë të madhe.



