Qeveria e re e Hungarisë, e drejtuar nga Kryeministri Peter Magyar, planifikon të ndryshojë Kushtetutën për të larguar presidentin Tamas Sulyok, pasi ky i fundit refuzoi të japë dorëheqjen vullnetarisht.
Lajmi u bë i ditur pas një takimi mes dy liderëve në Budapest, ku Magyar deklaroi se do të përdorë shumicën prej dy të tretash të votave që partia e tij ka në parlament për të ndryshuar ligjin themelor të vendit.
Sulyok, i zgjedhur president në vitin 2024 me mbështetjen e partisë së ish-kryeministrit Viktor Orban, ka refuzuar kërkesat e qeverisë së re për t’u larguar nga posti.
Ai deklaroi se nuk ekziston asnjë bazë kushtetuese për shkarkimin e tij dhe se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri në përfundimin e mandatit në vitin 2029.
Sulyok ka kërkuar edhe një opinion nga Komisioni i Venecias për të shqyrtuar çështjen.
Magyar, i cili fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 dhe i dha fund 16 viteve qeverisje të Orban, e ka cilësuar presidentin si një “kukull të Orban” dhe pjesë të sistemit të vjetër që duhet të largohet.
Sipas tij, Sulyok nuk ka mbrojtur shtetin ligjor, nuk ka reaguar ndaj masave kontroverse të qeverive të mëparshme dhe nuk përfaqëson unitetin kombëtar që kërkon posti presidencial.
Aktualisht, Kushtetuta hungareze lejon shkarkimin e presidentit vetëm në raste të shkeljeve serioze kushtetuese ose veprave penale. Për këtë arsye, qeveria e Magyar po shqyrton ndryshime kushtetuese që do ta bënin më të lehtë largimin nga detyra të zyrtarëve të emëruar gjatë epokës së Orbanit.
Juristë dhe ekspertë kushtetues kanë paralajmëruar se një hap i tillë mund të ngrejë pikëpyetje mbi respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Përveç Presidentit, qeveria ka kërkuar dorëheqjen edhe të disa figurave të tjera kyçe të emëruara gjatë qeverisjes së Orban, mes tyre drejtues të sistemit gjyqësor, prokurorisë, mediave publike dhe institucioneve të tjera të pavarura.
Magyar argumenton se një ndryshim sistemi kërkon largimin e njerëzve që, sipas tij, kanë ndihmuar në konsolidimin e pushtetit të Fidesz-it gjatë viteve të fundit.
Megjithëse posti i presidentit në Hungari është kryesisht ceremonial, por kreu i shtetit ka kompetenca të rëndësishme, si kthimi i ligjeve për rishqyrtim ose dërgimi i tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Pikërisht këto kompetenca konsiderohen nga qeveria e re si një pengesë potenciale për reformat që ajo synon të zbatojë në muajt e ardhshëm.



