Yair Netanyahu, djali i madh i kryeministrit Benjamin Netanyahu, e ka ndryshuar ligjërisht emrin në Yonatan Hun. Lajmin e bën të ditur gazeta izraelite, Haaretz, duke cituar dokumente tatimore.
Sipas gazetës, të dhënat tatimore izraelite të Netanyahut për vitin 2026 u paraqitën me emrin e tij të ri, por me të njëjtin numër identifikimi dhe të njëjtën adresë si deklaratat e tij tatimore të vitit 2024, të cilat u paraqitën me emrin e tij të lindjes.
Ndryshimet zyrtare të emrit në Izrael janë të pakthyeshme për shtatë vjet.
Nuk është e qartë nëse Netanyahu synon të identifikohet me emrin e ri, apo e ka ndryshuar atë për qëllime të tjera. Në mediat sociale, ai e ruan emrin e tij origjinal.
Yonatan është emri i xhaxhait të Yairit, vëllait të kryeministrit. Yonatan (Yoni) Netanyahu u vra në vitin 1976 gjatë Operacionit Entebbe për të shpëtuar pengjet izraelite të mbajtura në Ugandë. Hun është mbiemri origjinal i gjyshit të tij nga nëna, Shmuel Ben-Artzi, i cili njihej si Samuel Hun përpara se ta hebraizonte emrin e tij.
Sipas shkrimit, djali i madh i kryeministrit e ka përdorur mbiemrin Hun në profile të ndryshme në mediat sociale për disa vite, megjithëse nuk ishte e qartë pse vendosi ta ndryshonte zyrtarisht tani.
Netanyahu, 34 vjeç, është një aktivist i zjarrtë i krahut të djathtë dhe podkaster, dhe ka banuar në Florida gjatë disa viteve të fundit. Ai është i njohur për praninë e tij provokuese në mediat sociale dhe lidhjen me politikanë dhe figura publike evropiane dhe amerikane të ekstremit të djathtë.



