“Nga qyteti mbi kodër, te America first” është libri i ri i dr. Ernest Nasto, studiues i historisë së ideve dhe peizazhit fetar amerikan. Në një bisedë në MCN Informacion, u ndal në disa prej temave të trajtuara prej tij në këtë libër.
Nasto tha se presidenca e Trump solli një kontrast të ri në raport me idetë e etërve themelues.
Amerika u themelua me idenë e pasjes së një shembulli për të gjithë popujt e botës që kishin synime për liri, demokraci dhe vetëqeverisje. Ka qenë shembulli që duhet të frymëzojë Amerika. Kjo ishte ideja themeluese. E reja që solli Donald Trump kur u zgjodh president ishte që Amerika nuk do të përbëjë më atë frymëzimin për të qenë shembull i demokracisë, por do të jetë një shtet si gjithë të tjerët. Trump e tha këtë gjë hapur në një mbledhje në OKB, në 2017. Amerika me këtë bëhet një komb si gjithë të tjerët. Nëse deri dje ishte komb i domosdoshëm, ajo u bë një komb si gjithë të tjerët. Ky ishte kontrasti.
Ideja e kombit nën Zotin është e pranishme sot akoma. Amerikanët e kanë parë vendin e tyre si një vend me mision special hyjnor. Kjo nuk thuhet më me fjalë të hapura, por ama temat janë: p.sh. tema e veçanësisë amerikane. Këto ide janë mishërim i kombit nën Zotin, siç ishte gjatë kohës së revolucionit amerikan.
Nasto theksoi se është themelore që Amerika ta ruajë mbështetjen te idetë themelore.
Duke u ndalur te ideja e fatit të veçantë, Nasto tha se ajo mbetet ende e pranishme te amerikanët.
Nëse kjo ide ka drejtuar gjithë shtrirjen e Amerikës drejt Perëndimit, ajo ka vazhduar të jetë e pranishme edhe më vonë, nën subkoshiencën e amerikanëve. Idetë themelore të këtij koncepti janë përsëri të pranishme, d.m.th. roli unik i Amerikës në botë. Nevoja që Amerika të ketë përparësi teknologjike për të dominuar botën, për t’u mbrojtur nga dominimi i rivalëve. Kjo bie ndesh me konceptin e “America first”.
Lidhur me idetë e hedhura së fundmi nga Alex Karp dhe Peter Thiel, Nasto tha se ato i shërbejnë rritjes së peshës ushtarake të SHBA-ve, por në njëfarë mase janë edhe promovim i interesave të vetë kompanive që ata zotërojnë.
Çështja që Thiel shtron është se epoka e këtyre aplikacioneve që merren me dieta, ujitje lulesh etj., pra aplikacione për konsum, ka marrë fund, nuk mund të ekzistojë më. Duhet që përparësia e të gjitha këtyre të lidhet me fushën e sigurisë dhe fushën ushtarake. Pra kështu mund të garantohet dominimi i Amerikës. Pra kthehemi te Fuqitë e Mëdha. Këtu kthehemi te Silicon Valley, që teknologjia duhet t’u shërbejë të gjithëve. Tani, ata mendojnë se përkundrazi, teknologjia duhet të lidhet me ushtrinë.
Në historinë amerikane është e pranishme ideja protestante, që historia ka një drejtim të caktuar dhe njeriu mundet ta përmirësojë fatin e tij. Është edhe një ide tjetër që vjen nga fillimi i shek. 20, që teknologjia ka aftësi të zgjidhë problemet që ka njerëzimi sot.
Këta të dy thonë të njëjtën gjë, por shprehin edhe frikën e një totalitarizmi teknologjik. Dhe kjo del te Thiel dhe ideja e tij për antiKrishtin. Nuk përjashtohet fakti që ata promovojnë edhe interesat e kompanive të tyre teknologjike.
Optimizmi buron nga ideja që teknologjia ka mundësi të zgjidhë probleme. Ky mendim ka qenë i pranishëm dhe e kemi parë edhe në kohën e revolucionit industrial. Përparimi i madh që u bë gjatë kohës së revolucionit industrial dhe optimizmi i pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo pasqyrohet te ideja e të dyve për teknologjinë.
Synimi i tyre ky është: që teknologjia të bashkohet me shtetin. Kjo do të sillte dobësim të kontrollit demokratik. Thiel e shpreh te idetë e tij për totalitarizmin. Frika është kjo që mund të shkojmë drejt humbjes së kontrollit. Ndërsa për dobësimin e demokracisë do të thosha se kjo ka ndodhur gjatë presidencës së Trump. Ai ka disa tipare që flasin për minimin e demokracisë.
Kjo do të jetë një atribut i elitave teknologjike. Kjo po formësohet edhe si një lloj lëvizjeje. Nuk është një lëvizje me kufij teknologjikë. Të gjithë besojnë te përparësia e teknologjisë dhe dominimi ushtarak. Duke u lidhur kjo me shtetin atëherë bëhet e rrezikshme sepse njeriu i zakonshëm e ka gjithnjë e më të vështirë për t’i kontrolluar.



