Omani ka deklaruar se nuk mbështet vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.
Ministri i Jashtëm, Badr bin Hamad Albusaidi, tha se vendi është kundër tarifave të tranzitit, por është i hapur për diskutime mbi pagesat vullnetare për shërbime detare, mjedisore dhe të navigimit.
Në një intervistë për radion franceze Monte Carlo Doualiya, Albusaidi sqaroi se këto shërbime mund të përfshijnë rritjen e sigurisë së lundrimit, mbrojtjen e ujërave nga ndotja dhe përmirësimin e gatishmërisë për përballimin e aksidenteve apo emergjencave.
Ai përmendi si modele të mundshme sistemet që zbatohen në Ngushticën e Malakës dhe atë të Singaporit.
Lidhur me çminimin e Ngushticës së Hormuzit, ministri tha se përgjegjësia kryesore i takon Iranit, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit SHBA-Iran.
Megjithatë, ai theksoi se Omani është i gatshëm të kontribuojë në përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për garantimin e sigurisë detare, nëse kjo i kërkohet.



