Konservuesit e përdorur gjerësisht në ushqimet e blera në dyqane për të parandaluar bakteret dhe mykun mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për probleme kardiovaskulare, sipas një studimi të ri francez.
Hulumtimi zbuloi se personat që konsumonin më shumë ushqime me konservues kishin 29% më shumë gjasa të zhvillonin tension të lartë të gjakut dhe 16% më shumë rrezik për atak në zemër ose goditje në tru.
Studimi vuri në dukje se edhe konservuesit e quajtur “natyralë”, si acidi citrik dhe acidi askorbik (vitamina C), të përdorur për të parandaluar ndryshimin e ngjyrës së ushqimeve, shoqëroheshin me një rritje prej 22% të rrezikut për hipertension tek personat që konsumonin më shumë produkte me këta përbërës.
Autorja kryesore e studimit, Mathilde Touvier, sqaroi se megjithëse acidi askorbik dhe acidi citrik gjenden natyrshëm në fruta dhe perime, versionet e përdorura si aditivë ushqimorë prodhohen shpesh në mënyrë industriale dhe mund të kenë efekte të ndryshme në organizëm.
“Rezultatet nuk lidhen me substancat natyrale që gjenden në fruta dhe perime, por me përdorimin e tyre si konservues në ushqime të përpunuara”, tha Touvier, drejtoreshë kërkimi në Institutin Kombëtar Francez të Shëndetit dhe Kërkimeve Mjekësore në Paris.
Studimi, i publikuar në “European Heart Journal”, analizoi efektin e 58 konservuesve tek më shumë se 112 mijë persona që morën pjesë në projektin francez NutriNet-Santé. Pjesëmarrësit regjistruan në detaje ushqimet dhe pijet që konsumonin gjatë viteve, ndërsa studiuesit krahasuan të dhënat ushqimore me historikun e tyre mjekësor.
Nga analiza e 17 konservuesve më të përdorur, tetë prej tyre rezultuan të lidhur me zhvillimin e tensionit të lartë gjatë dekadës pasuese.
Mes konservuesve më problematikë u identifikuan sorbati i kaliumit, metabisulfiti i kaliumit dhe nitriti i natriumit, të cilët përdoren zakonisht në verë, pije të fermentuara, produkte të pjekura dhe mishra të përpunuar si sallamet dhe proshutat.
Ekspertët theksojnë se ushqimet ultra të përpunuara janë lidhur prej kohësh me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, obezitet, diabet të tipit 2 dhe çrregullime të gjumit. Sipas studiuesve, ky studim ndihmon për të kuptuar më mirë se pse këto produkte janë më të dëmshme sesa sugjeron vetëm përmbajtja e tyre në sheqer, kripë apo yndyrë.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se konservuesit gjenden edhe në shumë produkte që nuk konsiderohen domosdoshmërisht ultra të përpunuara, çka e bën të vështirë shmangien e tyre të plotë.
Autorët rekomandojnë konsumimin e ushqimeve të freskëta ose minimalisht të përpunuara, ndërsa për alternativat praktike sugjerojnë produkte të ngrira që ruhen përmes temperaturave të ulëta dhe jo përmes shtimit të konservuesve.
Studime të mëparshme nga i njëjti ekip kanë lidhur disa konservues edhe me rritje të rrezikut për kancer dhe diabet të tipit 2. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se rezultatet janë vëzhguese dhe nuk provojnë drejtpërdrejt shkak-pasojë, ndonëse konsiderohen një sinjal serioz për hetime të mëtejshme shkencore.



