Qeveria spanjolle ka njoftuar një plan për të legalizuar statusin e emigrantëve pa dokumente, një masë që pritet të përfitojë të paktën gjysmë milioni njerëz.
Nga ky vendim do të përfitojnë personat që nuk kanë precedentë penalë dhe mund të vërtetojnë se kanë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj para 31 dhjetorit 2025.
Masa do t'u ofrojë përfituesve një leje qëndrimi fillestare njëvjeçare, e cila më pas mund të zgjatet.
Kërkesat për statusin pritet të fillojnë në prill dhe procesi do të mbetet i hapur deri në fund të qershorit.
Spanja ka parë një fluks të madh emigrantësh vitet e fundit, kryesisht nga Amerika Latine.
Grupi konservator i ekspertëve Funcas zbuloi se numri i migrantëve pa dokumente në Spanjë ishte rritur nga 107,409 në vitin 2017 në 837,938 në vitin 2025.
"Kjo është një ditë historike për vendin tone. Ne po përforcojmë një model migrimi të bazuar në të drejtat e njeriut, integrimin, bashkëjetesën dhe që është i pajtueshëm me rritjen ekonomike dhe kohezionin social", tha Elma Saiz, ministrja spanjolle e sigurimeve shoqërore dhe migracionit.
Numri më i lartë i të ardhurve pa dokumente që jetojnë aktualisht në Spanjë besohet të jetë nga Kolumbia, Peruja dhe Hondurasi.



