Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e shtyrjes ose bllokimit të emërimit të kandidatit të presidentit francez Emmanuel Macron për ambasador të Francës në Uashington, pas kritikave publike të Parisit ndaj politikës amerikane për të drejtat e njeriut.
Sipas burimeve diplomatike, zemërimi në Uashington u shkaktua nga një postim i misionit francez në OKB në Gjenevë, i cili kritikoi SHBA-në për votimin kundër zgjatjes së mandatit të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke deklaruar se “SHBA dikur ishte një pishtar i të drejtave të njeriut, por jo më”.
Në qendër të mosmarrëveshjes është kandidatura e Aurélien Lechevallier, i propozuar nga Macron si ambasador i ri në SHBA. Edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, burimet thonë se procesi i miratimit ka hasur pengesa për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy aleatëve.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Parisit janë rritur muajt e fundit për çështje që lidhen me tarifat tregtare, luftën me Iranin, Ukrainën dhe deklaratat e ndërsjella diplomatike. Një refuzim ose vonesë e kandidaturës franceze do të ishte një veprim i pazakontë diplomatik dhe mund të thellonte më tej përçarjet mes SHBA-së dhe Francës.



