Dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së hedhin dritë mbi një aspekt edhe më shqetësues të figurës së Jeffrey Epstein, përtej krimeve të tij të njohura seksuale.
Përveçse ishte në qendër të një rrjeti të gjerë abuzimi, parash dhe ndikimi politik, Epstein rezulton të ketë qenë thellësisht i fiksuar pas gjenetikës, eugjenikës dhe idesë së “përmirësimit” të racës njerëzore.
Dosjet tregojnë se ai shfaqte bindje të hapura raciste dhe seksiste, duke pretenduar se dallimet racore në inteligjencë kishin bazë gjenetike.
Në komunikime private, përfshirë email-e me figura të njohura akademike si Noam Chomsky dhe shkencëtarë të fushës së inteligjencës artificiale, Epstein sugjeronte se njerëzit me ngjyrë ishin gjenetikisht inferiorë dhe se kjo “problemati̇kë” mund të zgjidhej përmes ndërhyrjeve gjenetike.
Këto ide mbështeteshin në teori pseudo-shkencore dhe stereotipe racore, të cilat më vonë disa nga bashkëbiseduesit e tij i kanë mohuar dhe dënuar publikisht.
Një tjetër aspekt tronditës është interesi i Epsteinit për transhumanizmin, klonimin dhe foshnjat e projektuara gjenetikisht. Ai diskutonte seriozisht mundësinë e krijimit të fëmijëve të modifikuar, madje edhe kloneve njerëzore, dhe kërkonte të financonte kompani që punonin në redaktimin e gjeneve.
Në email-e të vitit 2018, ai shprehte gatishmëri për të investuar në projekte të tilla, me kusht që emri i tij të mbetej i fshehtë, për shkak të reputacionit të dëmtuar pas dënimeve për krime seksuale.
Epstein ishte gjithashtu i fiksuar pas tipareve që ai i konsideronte “superiore”, veçanërisht syve blu, të cilët i lidhte me inteligjencën. Kjo mani shfaqej jo vetëm në preferencat e tij personale seksuale, por edhe në mënyrën se si vlerësonte njerëzit në rrethet akademike dhe shoqërore.
Dokumentet tregojnë se ai mbante shënime për karakteristika fizike të pjesëmarrësve në konferenca shkencore, duke përfshirë ngjyrën e syve.
Përmes donacioneve të mëdha financiare, Epstein arriti të krijojë lidhje të ngushta me shkencëtarë, universitete prestigjioze dhe organizata që vepronin në fushën e evolucionit, inteligjencës artificiale dhe transhumanizmit.
Ai financoi programe në Harvard, sponsorizoi konferenca shkencore dhe përdori pasurinë e tij për të fituar akses dhe legjitimitet në qarqet akademike, edhe pasi bindjet dhe sjellja e tij problematike ishin bërë të njohura.
Një nga planet më shqetësuese të përmendura në raportime të mëparshme, të konfirmuara nga dosjet, ishte ideja për të përdorur fermën e tij në New Mexico si një qendër ku gra të shumta do të ngjizeshin me spermën e tij, me qëllim “mbjelljen” e ADN-së së tij dhe krijimin e një brezi pasardhësish të përzgjedhur.
Edhe pse nuk ka prova se ky plan u realizua praktikisht, fakti që ai u diskutua seriozisht me shkencëtarë dhe bashkëpunëtorë tregon shkallën e obsesionit të Epsteinit me trashëgiminë gjenetike.
Dokumentet e fundit përforcojnë portretin e një individi thellësisht të çrregulluar, te i cili krimet seksuale, abuzimi i pushtetit dhe idetë ekstremiste për racën, gjininë dhe superioritetin biologjik ishin të ndërlidhura.
Telegraph raporton se Epstein jo vetëm që shfrytëzoi njerëz vulnerabël, por tentoi të përdorte shkencën dhe pasurinë e tij për të legjitimuar fantazi të rrezikshme e çnjerëzore. Në këtë kuptim, ai mbetet jo vetëm një kriminel famëkeq, por edhe një simbol i errët i mënyrës se si pushteti dhe pseudo-shkenca mund të bashkohen në forma thellësisht të dëmshme për shoqërinë.
Jaron Lanier, një shkencëtar kompjuterash me ndikim dhe një nga burimet kryesore të New York Times, tha se Epstein i kishte modeluar planet e tij mbi Repository for Germinal Choice, një bankë sperme në Kaliforni, e themeluar në vitin 1980.
Themeluesit kishin shpresuar që banka do të mbushej me laureatë të Çmimit Nobel për të përmirësuar fondin e gjeneve njerëzore, por vetëm një laureat i Çmimit Nobel kontribuoi para se objekti të mbyllej në vitin 1999.
Për skemën e tij, thuhet se Epstein planifikonte të linte shtatzënë 20 gra në të njëjtën kohë. Thuhet se ai kishte përdorur darka luksoze për të përzgjedhur kandidate të mundshme, gra tërheqëse dje me kredenciale mbresëlënëse.



