Presidenti amerikan Donald Trump, nuk ka miratuar ende një paketë të re ndihme ushtarake apo armësh për Tajvanin, deklaroi ai para gazetarëve në Air Force One, duke u kthyer nga Pekini të premten, ku bëri një vizitë zyrtare tre-ditore. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që ta bëjë në të ardhmen.
“Nuk e kam miratuar ende, mund ta bëj, mund të mos e bëj. Politika amerikane ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar. Asgjë nuk ka ndryshuar”, tha ai gjithashtu, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth hapave të mundshëm nga qeveria e tij mbi këtë çështje.
Trump theksoi gjithashtu, pas takimit me Presidentin kinez Xi Jinping, se nuk beson se ka një konflikt aktiv mbi çështjen e Tajvanit.
Dhjetorin e kaluar, presidenti amerikan miratoi dërgimin e pajisjeve ushtarake me vlerë 11 miliardë dollarë në Tajvan, duke zemëruar Kinën, e cila e konsideron ishullin një pjesë integrale të territorit të saj kombëtar.
Armët në fjalë nuk janë dorëzuar ende dhe para vizitës së Trump, Pekini po bënte presion për një rishikim të vendimit ose të paktën për një qëndrim më të qartë verbal nga udhëheqja amerikane kundër qëllimeve separatiste të qeverisë tajvaneze.



