Izraeli ka intensifikuar në ditët e fundit bombardimet e tij në zonën e Qytetit të Gazës, në veri të territorit, përpara ofensivës së planifikuar, pavarësisht presionit në rritje ndërkombëtar për të ndaluar fushatën.
Agjencia e mbrojtjes civile të Gazës tha se sulmet izraelite të enjten vranë më shumë se 30 persona në qytet, nga të paktën 64 palestinezë të vrarë në të gjithë Rripin e Gazës.
Ndërsa shqetësimi rritet për kushtet e tmerrshme humanitare për popullsinë e Gazës prej më shumë se dy milionë banorësh, një nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian e quajti luftën "gjenocid" - një term i refuzuar fuqimisht nga Izraeli, por që disa qeveri dhe grupe të shumta të të drejtave të njeriut e kanë miratuar.
Në një konferencë televizive, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Gjeneral Brigade Effie Defrin, tha se "ne mbajmë 40 për qind të territorit të Qytetit të Gazës", duke shtuar se ofensiva "do të vazhdojë të zgjerohet dhe intensifikohet në ditët në vijim".
Defrin u zotua të "rrisë presionin" mbi grupin Hamasin "derisa të mposhtet".
Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit u tha gazetarëve të mërkurën se autoritetet presin që ofensiva e re të dëbonte nga Gaza rreth një milion palestinezë.
Kombet e Bashkuara muajin e kaluar shpallën zinë e bukës në dhe përreth qytetit të Gazës, ku vlerësohet se jetojnë gati një milion njerëz.



