Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 129 të tjerë janë plagosur pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë goditi Filipinet në orën 07:37 sipas kohës lokale (23:37 GMT), njofton BBC.
Sipas Institutit Filipinez të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë, epiqendra e tërmetit ndodhej pranë brigjeve të General Santos, në ishullin jugor të Mindanaos, ndërsa lëkundjet u regjistruan në një thellësi prej 10 kilometrash.
Zona më e goditur është General Santos City, ku sipas autoriteteve lokale janë konfirmuar tetë viktima dhe mbi 200 të plagosur si pasojë e shembjes së ndërtesave dhe dëmeve të mëdha infrastrukturore.
Pas tërmetit, disa vende të rajonit, përfshirë Filipine, Indonezi dhe Japoni, lëshuan paralajmërime për cunami.
Megjithatë, shumica e tyre u hoqën disa orë më vonë pasi rreziku u vlerësua më i ulët se sa pritej fillimisht.
Në fazën e parë të emergjencës, autoritetet filipinase u bënë thirrje banorëve të zonave bregdetare dhe ishujve të zhvendoseshin drejt zonave më të larta dhe më të sigurta.
Edhe autoritetet indoneziane urdhëruan evakuime në disa rajone veriore të vendit. Megjithatë, Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës e Indonezisë e hoqi alarmin për cunami rreth katër orë e gjysmë pas shpalljes së tij.
Sipas agjencisë, valë të vogla cunami u regjistruan në të paktën nëntë zona të Indonezisë, ndërsa vala më e lartë arriti në 0.75 metra në ishullin Sangihe.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., deklaroi se ka urdhëruar të gjitha agjencitë përkatëse qeveritare të reagojnë menjëherë dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e emergjencës.
Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë vlerësimin e dëmeve në zonat e prekura.
Bilanci i viktimave dhe i dëmeve materiale mbetet paraprak, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të identifikuar persona të bllokuar dhe për të ndihmuar banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore.



