Gruaja e ish-Presidentit të Koresë së Jugut, Kim Keon Hee u arrestua në lidhje me disa raste që përfshinin manipulim çmimesh dhe korrupsion, disa orë pasi u njoftua se ishte lëshuar një urdhër arresti për të nga frika e shkatërrimit të provave.
Të dy anëtarët e ish-çiftit presidencial të Koresë së Jugut ndodhen aktualisht pas hekurave. Gruaja e ish-Presidentit të rrëzuar Yoon Suk Yeol, ish-zonja e parë e Koresë së Jugut Kim Keon Hee, u arrestua të martën në mbrëmje, më 12 gusht, në lidhje me disa raste që përfshijnë manipulimin e çmimeve dhe korrupsionin, thanë prokurorët.
Kim Keon Hee, 52 vjeç, akuzohet për fryrje artificiale të çmimit të aksioneve të një kompanie tregtare automobilash midis viteve 2009 dhe 2012 dhe për pranimin e dhuratave luksoze ndërsa ishte zonjë e parë, në kundërshtim me ligjet antikorrupsion.
Arrestimi dhe paraburgimi i saj nënkuptojnë se të dy anëtarët e çiftit të mëparshëm presidencial tani janë pas hekurave, një rast i paprecedent në Korenë e Jugut.
Burri i saj, Yoon Suk Yeol, një ish-president konservator i cili u rrëzua në prill, po mbahet në paraburgim për përpjekjen për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në dhjetor dhe për ta zhytur vendin në një periudhë të gjatë kaosi politik.
I akuzuar për kryengritje, ai u zëvendësua në qershor nga rivali i tij i qendrës së majtë, Lee Jae-myung. Javën e kaluar, Kim Keon Hee u mor në pyetje nga prokurorët.
“Kërkoj sinqerisht ndjesë që shkaktova probleme kur jam thjesht një person i parëndësishëm. Do të bashkëpunoj plotësisht me hetimin”, tha ajo.
Ish-zonja e parë akuzohet gjithashtu për shkelje të ligjeve zgjedhore duke ndërhyrë në procesin e emërimit të parlamentarëve nga ish-partia e bashkëshortit të saj, Partia e Pushtetit Popullor (PPP). Si President, Yoon Suk Yeol vuri veton ndaj tre projektligjeve të miratuara nga opozita shumicë që kërkonin të nisnin hetime speciale ndaj Kim Keon Hee.
Duke i quajtur “propagandë politike”, ai lëshoi veton e tij të fundit në fund të nëntorit, vetëm disa ditë para se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme.



