Koreja e Jugut ka nisur zbatimin e një ligji të ri që parashikon dëmshpërblime të larta dhe gjoba për mediat, ndikuesit në rrjetet sociale dhe platformat online që përhapin informacion të rremë ose të manipuluar.
Sipas ligjit, gjykatat mund të vendosin dëmshpërblime deri në pesëfishin e dëmit të provuar, ndërsa personat që përsërisin publikimin e informacionit të shpallur të rremë mund të gjobiten deri në 1 miliard won (rreth 656 mijë dollarë). Platformat me mbi 1 milion përdorues të përditshëm duhet të heqin përmbajtjen ose të pezullojnë llogaritë pas raportimeve për dezinformim.
Qeveria e presidentit Lee Jae Myung e mbështet ligjin, duke argumentuar se ai është i domosdoshëm për të luftuar lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin politik.
Megjithatë, organizatat e gazetarëve dhe grupet për liritë civile paralajmërojnë se formulimi i paqartë i ligjit mund të nxisë autocensurë dhe të kufizojë raportimin kritik ndaj pushtetit. Edhe Klubi i Korrespondentëve të Huaj në Seul ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë në lirinë e medias dhe qarkullimin e informacionit.
Autoritetet koreano-jugore këmbëngulin se ligji nuk synon censurën shtetërore, pasi vendimet për heqjen e përmbajtjes do të merren nga platformat private dhe raportimet në interes publik përjashtohen nga kërkesat për dëmshpërblim. Megjithatë, kritikët druhen se kompanitë e internetit do të zbatojnë politika të ashpra moderimi për të shmangur përgjegjësinë ligjore.



