Nga pica te ushqimet ultra të përpunuara/ Pse fëmijët italianë po bëhen ndër më mbipeshët në Evropë

Nga pica te ushqimet ultra të përpunuara/ Pse fëmijët italianë po bëhen ndër më mbipeshët në Evropë

Italia, vendi që për dekada është konsideruar simbol i dietës mesdhetare dhe ushqyerjes së shëndetshme, po përballet me një realitet shqetësues. Numri i fëmijëve dhe adoleshentëve me mbipeshë dhe obezitet po rritet me ritme alarmante, duke e renditur vendin ndër më të prekurit në Evropë.

 

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët italianë janë sot ndër më mbipeshët në kontinent, ndërsa situata është veçanërisht kritike në jug të vendit. Në disa zona të rajonit të Kampanjës, mbi 40 për qind e fëmijëve 8 dhe 9 vjeç rezultojnë mbipeshë.

 

Një nga rastet më të rënda është ai i 17-vjeçarit Salvatore nga periferia e Napolit, i cili peshon 170 kilogramë. Ai lëviz me vështirësi, nuk arrin të lidhë këpucët dhe madje skuteri i tij nuk e përballon peshën. 

 

Mjekët kishin planifikuar një ndërhyrje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut, por pesha e tij e lartë e bën operacionin tepër të rrezikshëm. Për momentin, ai po trajtohet me terapi që ulin oreksin, me shpresën se do të humbasë peshë të mjaftueshme për t'iu nënshtruar ndërhyrjes.

 

Specialistët thonë se panorama ushqimore në Itali ka ndryshuar rrënjësisht. Dieta tradicionale mesdhetare, e pasur me fruta, perime, bishtajore, vaj ulliri, drithëra të plota dhe peshk, po zëvendësohet nga një regjim ushqimor i mbushur me karbohidrate, ushqime të përpunuara dhe produkte me shumë kalori.

 

Eksperti i jetëgjatësisë, Valter Longo, e përmbledh këtë ndryshim me "pesë P-të": pica, pasta (makarona), patate, proteina dhe pane (bukë). Sipas tij, vetëm rreth 10 për qind e italianëve ndjekin ende dietën autentike mesdhetare.

 

Pediatri Roberto Berni Canani, specialist i obezitetit në Napoli, tregon se në klinikën e tij trajtohen edhe fëmijë vetëm dy ose tre vjeç që peshojnë deri në 25 kilogramë. Ai thekson se shumica e prindërve nuk e kuptojnë se pesha e tepërt është shkaku i shumë problemeve shëndetësore të fëmijëve të tyre.

 

Ekspertët vërejnë se në shumë familje mbizotëron ende bindja se një fëmijë "pak i shëndoshë" është një fëmijë i shëndetshëm. Ky perceptim kulturor, i kombinuar me konsumimin në rritje të ushqimeve ultra të përpunuara dhe mungesën e lëvizjes, po përkeqëson situatën.

 

Për të frenuar fenomenin, në Kampanja janë nisur programe edukimi për mbi 17 mijë nxënës në 25 shkolla, ku fëmijët dhe familjet e tyre informohen për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe ndryshimit të stilit të jetesës.

 

Ndërkohë, Italia është bërë vendi i parë në botë që e njeh me ligj obezitetin si një sëmundje kronike, progresive dhe të përsëritshme. 

 

Autoritetet shëndetësore po testojnë edhe metoda të reja trajtimi, përfshirë dieta të kontrolluara që imitojnë agjërimin, megjithëse një pjesë e specialistëve paralajmërojnë se këto qasje kërkojnë më shumë prova shkencore, sidomos kur aplikohen tek fëmijët dhe adoleshentët.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy