Presidenti amerikan Donald Trump po i dëbon njerëzit e pastrehë nga Uashingtoni. Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi një konferencë për mediat të hënën, më 11 gusht, ku do të përshkruajë masat dhe një strategji për ta “bërë kryeqytetin tonë më të sigurt dhe më të bukur se kurrë”.
Në javët e fundit, Trump ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të rendit publik në Uashington, madje duke dënuar situatën në zonën e Shtëpisë së Bardhë.
“Të pastrehët duhet të largohen menjëherë. Do t’ju ofrojmë një vend për të qëndruar, por larg kryeqytetit. Kriminelët, nuk duhet të lëvizin. Do t’ju fusim në burg, aty ku e meritoni të jeni. E gjithë kjo do të ndodhë shumë shpejt, njësoj si në kufi. Kemi kaluar nga miliona mbërritje në zero në muajt e fundit. Do të jetë më e lehtë këtu, jini gati. Nuk do të ketë më “zotërinj të mirë”. Duam të na kthehet kryeqyteti”, shkroi Trump në rrjetin social Truth, duke iu referuar politikave për të luftuar emigracionin e paligjshëm.
Disa ditë më parë, po në Truth, Presidenti kishte parashikuar pikën e kthesës në një postim tjetër.
Krimi në Uashington, D.C., është plotësisht jashtë kontrollit. Fëmijët vendas dhe anëtarët e bandave, disa prej të cilëve vetëm 14, 15 dhe 16 vjeç, po sulmojnë dhe qëllojnë rastësisht qytetarë të pafajshëm, duke e ditur se do të lirohen pothuajse menjëherë.
Ata nuk kanë frikë nga forcat e ligjit sepse e dinë se asgjë nuk do t’u ndodhë kurrë. Por tani do të ndodhë. Ligji në Uashington, D.C., duhet të ndryshohet për t’i gjykuar këta “të mitur” si të rritur dhe për t’i dërguar në burg për periudha të gjata, duke filluar nga mosha 14 vjeç.



