Papa Leoni XIV ka paraqitur dokumentin e tij të parë të madh teologjik, një enciklikë të fokusuar te inteligjenca artificiale, ku paralajmëron se kontrolli i kësaj teknologjie nuk duhet të mbetet në duart e një “pak njerëzve”.
Ai thekson se zhvillimi i IA-së po ndikon drejtpërdrejt në jetën njerëzore dhe madje po nxit tensione e konflikte globale.
Në dokument, Papa kërkon që përdorimi i inteligjencës artificiale, veçanërisht në fushën ushtarake, t’i nënshtrohet kufizimeve shumë të rrepta etike.
Ai thekson nevojën për të mbrojtur “madhështinë dhe dinjitetin e njeriut” përballë teknologjive që evoluojnë me shpejtësi dhe paralajmëron kundër rrezikut të dominimit teknologjik mbi njerëzimin.
Enciklika shkon përtej çështjeve teknologjike, duke prekur edhe krizat globale. Papa e cilëson të vjetëruar doktrinën e “luftës së drejtë”, duke argumentuar se përdorimi i forcës duhet të kufizohet vetëm në vetëmbrojtje të ngushtë dhe se lufta moderne sjell pasoja shkatërruese për civilët.
Ai gjithashtu thekson se trajtimi i migrantëve dhe refugjatëve është një “test i vërtetë” për drejtësinë sociale.
Papa Leo XIV kërkon një qasje më të gjerë etike dhe shoqërore ndaj inteligjencës artificiale, duke përfshirë drejtësi sociale, shpërndarje më të barabartë të burimeve dhe mbrojtje të mjedisit.
Ai paralajmëron gjithashtu për rrezikun që teknologjia të çojë në një “Kullë të Babelit” moderne, ku njerëzimi humb kontrollin mbi krijimet e veta.



