Në një kohë tensionesh të shtuara gjeopolitike, qytetarët europianë po ndihen gjithnjë e më të pasigurt për të ardhmen dhe kërkojnë që Bashkimi Europian të veprojë me më shumë unitet dhe ambicie.
Kështu tregojnë rezultatet e sondazhit më të fundit Eurobarometer të Parlamentit Europian, të publikuar të mërkurën, ku theksohet se zhvillimet globale po krijojnë ndjenjë shqetësimi tek qytetarët e BE.
Sipas sondazhit, 52% e qytetarëve shprehen pesimistë për të ardhmen e botës, 39% janë pesimistë për të ardhmen e BE dhe 41% për të ardhmen e vendit të tyre.
Ndërkohë, në nivel personal, situata duket më optimiste, pasi 76% e europianëve shprehen optimistë për të ardhmen e tyre dhe të familjes.
Shqetësimet kryesore të qytetarëve
Sondazhi tregon se frika për sigurinë dhe mbrojtjen është e lartë në të gjitha temat e testuara.
Ndër shqetësimet kryesore renditen:
konfliktet pranë BE (72%)
terrorizmi (67%)
sulmet kibernetike nga vende jashtë BE (66%)
fatkeqësitë natyrore të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike (66%)
flukset e pakontrolluara të migracionit (65%)
Në të njëjtën kohë, qytetarët shprehin shqetësim edhe për rreziqet që lidhen me komunikimin dhe informacionin, si: dezinformimi (69%) gjuha e urrejtjes online dhe offline (68%) përmbajtjet e rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale (68%) mbrojtja e pamjaftueshme e të dhënave personale (68%) kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes (67%).
Thirrje për një Europë më të bashkuar
Përballë sfidave të shumta, qytetarët kërkojnë që BE të rrisë rolin e saj. 66% e të anketuarve duan që BE të marrë pjesë në garantimin e sigurisë së tyre. Po ashtu, uniteti shihet si i domosdoshëm: 89% mendojnë se shtetet anëtare duhet të jenë më të bashkuara, ndërsa 73% shprehen se BE ka nevojë për më shumë mjete për të përballuar sfidat globale.
Sipas qytetarëve, për të forcuar pozicionin në botë, BE duhet të fokusohet kryesisht në:
mbrojtjen dhe sigurinë (40%)
konkurrueshmërinë, ekonominë dhe industrinë (32%)
pavarësinë energjetike (29%)
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, deklaroi se tensionet gjeopolitike po ndikojnë drejtpërdrejt në ndjenjën e sigurisë së qytetarëve, duke theksuar se ata presin që BE të mbrojë, të jetë e përgatitur dhe të veprojë e bashkuar.
Kostoja e jetesës, prioritet kryesor
Çmimet e larta vijojnë të ndikojnë standardin e jetesës. Inflacioni, rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës (41%) mbeten prioriteti kryesor që qytetarët duan të trajtojë Parlamenti Europian. Ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës renditen të dytat me 35%, duke shënuar një rritje prej pesë pikësh krahasuar me majin 2025. Ndërkohë, shumica e të anketuarve presin që standardi i jetesës të mbetet i qëndrueshëm në pesë vitet e ardhshme, por 28% parashikojnë rënie.
Ky shqetësim është më i theksuar tek qytetarët francezë (45%), belgë dhe sllovakë (40%).
Rritet mbështetja për anëtarësimin në BE
Sondazhi tregon se qëndrimet ndaj BE dhe institucioneve të saj mbeten pozitive, megjithëse me një rënie të lehtë krahasuar me majin 2025. 49% e qytetarëve kanë një imazh pozitiv për BE (me rënie 3 pikë), ndërsa vetëm 17% kanë imazh negativ. Po ashtu, 38% kanë imazh pozitiv për Parlamentin Europian, ndërsa 20% negativ.
Një shumicë në rritje e qytetarëve vlerëson se anëtarësimi i vendit të tyre në BE është gjë e mirë (62%), me rritje 2 pikë krahasuar me herën e fundit kur kjo pyetje u bë në shkurt/mars 2024. Të rinjtë, mbështetësit më të fortë të BE Nga të dhënat demografike rezulton se të rinjtë nga 15 deri në 30 vjeç janë ndër mbështetësit më të fortë të BE dhe kanë pritshmëri më të larta për rolin e saj. 58% e të rinjve kanë imazh pozitiv për BE, ndërsa 68% kërkojnë rol më të fortë për Parlamentin Europian.



