Gati një vit pasi iku nga një grusht shteti që i dha fund sundimit të tij disadekadësh në Siri, ish-Presidenti Bashar Assad thuhet se po bën një jetë të qetë në Moskë, sipas një investigimi të publikuar nga gazeta gjermane Die Zeit.
Sipas kësaj të fundit, Asad, 59 vjeç, dhe familja e tij janë vendosur në një grataçelë luksoze në kryeqytetin rus, ku zotërojnë rreth 20 apartamente në tre kate. Ai përshkruhet si një person që lëviz lirshëm nëpër qytet, duke vizituar herë pas here një qendër tregtare aty pranë, ndërsa mbetet nën mbrojtjen dhe kontrollin e Presidentit rus Vladimir Putin.
I varur plotësisht nga Kremlini, Assad ka marrë atë që një burim e përshkroi si një "betim heshtjeje". Die Zeit raportoi se Putin mban një "monopol mbi informacionin", duke ushtruar kontroll të plotë mbi mënyrën se si portretizohet sundimi i Assad dhe përfshirja e Rusisë në Siri.
Një gazetar arab i intervistuar nga “Die Zeit” tha se ish-sundimtari sirian mban një profil të ulët. Por një ish-anëtar i rrethit të ngushtë të Assad, i identifikuar vetëm si "K." dhe që tani jeton në Evropë, dha detaje të reja rreth jetës së tij në Moskë.
K., i cili thotë se ka lindur në një familje me ndikim sirian dhe u ngrit në radhët e ushtrisë siriane, i tha gazetës se Assadi u përpoq ta vriste atë në vitin 2012 përmes sulmeve ajrore që vranë disa nga truprojat e tij. Pavarësisht se ishte larguar nga Siria vite më parë, ai tha se qeveria e re e vendit ende e konsideron atë si pjesë të "elitës së vjetër".
"Ai dhe familja e tij mund të lëvizin lirisht nëpër Moskë", tha K. "Ata punësojnë truproja private të paguara nga qeveria ruse. Bashar jeton në tre apartamente brenda një kulle që ka një qendër tregtare poshtë, dhe ndonjëherë viziton dyqanet atje."
K. shtoi se Assadi kalon orë të gjata duke luajtur videolojëra online.
Ndërkohë në lidhje me ish-Zonjën e Parë të Sirisë, burimi tha se është në gjendje kritike. Ajo u diagnostikua për herë të parë me kancer të gjirit në vitin 2018 dhe u shërua, por sëmundja u rikthye në pranverën e vitit 2024. Vëllai më i vogël i Assadit, Maher, thuhet se po qëndron në hotelin Four Seasons në Moskë, "ku e kalon kohën duke pirë dhe duke thithur nargjile".
Pavarësisht sekretit që rrethonte vendndodhjen e Assadit, gazetarët e Die Zeit thanë se arritën të hynin në ndërtesën ku besohet se jetonte ai. Ata e përshkruan atë si një grataçelë të sigurisë së lartë, të mbushur me banorë të huaj dhe politikanë.
Një agjente lokale e pasurive të patundshme, e identifikuar me pseudonimin Natasha, u tregoi gazetarëve apartamente të ngjashme në dizajn me ato në pronësi të familjes Assad. Holli, tha ajo, ka një tavan 20 metra të lartë, art modern dhe zona private pritjeje.
Apartamentet, shkruan Die Zeit, janë të dekoruara me bollëk - dollapë ngjyrë kremi me zbukurime ari, llambadarë kristali dhe divanë të gjerë që kujtojnë pallatet e Lindjes së Mesme. Kuzhinat kanë pajisje të prodhuara në Gjermani, dhe dhomat kanë televizorë të mëdhenj dhe dritare nga dyshemeja në tavan me pamje panoramike të horizontit të Moskës.
"Gjëja kryesore," tha raporti, "është banjë - e veshur tërësisht me mermer Carrara, me një vaskë të stërmadhe përballë një dritareje katër metra të lartë. Avionët mund të kalojnë në atë nivel pamjeje".



