Rrjedhje masive të dhënash në Javën e Financave të Abu Dhabit, ekspozohen politikanë dhe drejtues biznesi

Rrjedhje masive të dhënash në Javën e Financave të Abu Dhabit, ekspozohen politikanë dhe drejtues biznesi

Pasaportat dhe dokumente të tjera identifikimi që u përkisnin qindra pjesëmarrësve në konferencën kryesore të investimeve në Abu Dhabi janë ekspozuar në internet, duke kompromentuar sigurinë e figurave të profilit të lartë nga financa ndërkombëtare, politika dhe sektori i kriptovalutave, raporton Financialtimes. 

Skanime të më shumë se 700 pasaportave dhe kartave shtetërore të identitetit u zbuluan në një server të pambrojtur cloud, të lidhur me Abu Dhabi Finance Week (ADFW), një ngjarje e sponsorizuar nga shteti që mirëpriti mbi 35,000 pjesëmarrës në dhjetor.

Mes personave, dokumentet e të cilëve u ekspozuan, sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Financial Times (FT), ishin David Cameron, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar; Alan Howard, menaxher miliarder fondesh; Anthony Scaramucci, investitor amerikan, podkaster dhe ish-drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.

Të dhënat ishin të aksesueshme publikisht për këdo që përdorte një shfletues të zakonshëm interneti, sipas Roni Suchowski, studiues dhe konsulent i pavarur i sigurisë kibernetike që e zbuloi dobësinë. Pasi FT kontaktoi ADFW të hënën lidhur me rrjedhjen, serveri u sigurua.

Ekspertët e sigurisë paralajmëruan se incidenti mund të dëmtojë reputacionin e shtetit të Gjirit, i cili organizon rregullisht konferenca të nivelit të lartë dhe promovon standarde të larta sigurie.

ADFW organizohet nga Abu Dhabi Global Market (ADGM), qendra financiare e Abu Dhabit, e cila deklaroi se “totali i aseteve të përfaqësuara gjatë javës tejkaloi 62 trilionë dollarë”.

ADFW konfirmoi “një dobësi në një mjedis ruajtjeje të menaxhuar nga një shitës i palës së tretë, që lidhej me një nëngrup të kufizuar pjesëmarrësish të ADFW 2025”.

“ADFW e merr shumë seriozisht mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë e platformës, dhe çdo shkelje trajtohet me prioritet maksimal”, thuhet në deklaratë.

Sipas organizatorëve, mjedisi u sigurua menjëherë pas identifikimit të problemit dhe shqyrtimi fillestar tregoi se aktiviteti i aksesit ishte i kufizuar vetëm te studiuesi që e zbuloi dobësinë. Pjesëmarrësit e prekur janë njoftuar për incidentin.

Ndër personat e tjerë të profilit të lartë, të dhënat e të cilëve rezultuan të ekspozuara, sipas mostrës së dosjeve të shqyrtuara nga FT, ishin Richard Teng, bashkëdrejtor ekzekutiv i Binance dhe ish-CEO i ADGM dhe Lucie Berger, ambasadore e BE-së në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Scaramucci dhe përfaqësuesit e Cameron, Howard, Berger dhe Teng refuzuan të komentojnë.

Në aktivitetin e dhjetorit mori pjesë edhe princi i kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ndërsa ngjarja u promovua gjerësisht në rrjetet sociale. Sipas organizatorëve, ndër folësit ishin ministra të qeverisë së Emirateve dhe drejtues të lartë nga institucione financiare si UBS, Blackstone, Standard Chartered, Barclays, Morgan Stanley, Temasek, Bridgewater, Carlyle dhe Man Group, si dhe përfaqësues të kompanive të kriptovalutave si Tether dhe Crypto.com.

Suchowski e identifikoi rrjedhjen duke përdorur një program standard që skanon shërbimet cloud për të dhëna të pasigurta. Sipas tij, serveri që përmbante dhjetëra mijëra skedarë, përfshirë pasaporta, karta identiteti dhe fatura të ADFW, ka gjasa të ketë qenë i ekspozuar për të paktën dy muaj.

Ai tha se përpjekjet e mëparshme për të paralajmëruar organizatorët kishin dështuar, çka e shtyu të kontaktonte FT.

“Zbulimi i përgjegjshëm është thelbësor në raste të tilla, në mënyrë që të mbrohen personat e prekur,” u shpreh Suchowski. “Qëllimi është gjithmonë të njoftohet organizata privatisht dhe t’i jepet mundësia për të zgjidhur problemin para se të abuzohet me të dhënat.”

Ekspertët paralajmërojnë se skanimet e plota të pasaportave janë shumë të vlefshme për mashtruesit në rrjetin e errët, pasi mund të përdoren për vjedhje identiteti, sulme të personalizuara phishing dhe akses të paautorizuar në llogari online.

Neil Quilliam, bashkëpunëtor në programin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House, e cilësoi incidentin si një “gabim”, duke shtuar se një dështim kaq “themelor dhe i thjeshtë” bie ndesh me mënyrën se si shteti dëshiron të paraqitet në arenën ndërkombëtare.

Një pjesëmarrës në ADFW e përshkroi incidentin si një “shkelje masive të të dhënave”, duke shtuar se situata ishte “mjaft e tmerrshme”.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy