Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke zgjeruar masat ndëshkuese në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm ndaj Ukrainës, aktiviteteve hibride kundër vendeve evropiane dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtat e njeriut.
Sipas një deklarate zyrtare të BE-së, në listën e re të sanksioneve janë përfshirë 34 individë dhe 47 subjekte, të cilët akuzohen për mbështetje ose përfshirje në veprimtari që kontribuojnë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Masat e reja synojnë prodhues dhe furnizues të dronëve, pajisjeve ushtarake dhe teknologjive që përdoren nga forcat e armatosura ruse. Gjithashtu, në shënjestër janë vendosur individë dhe kompani të lidhura me transportin dhe eksportin e naftës bruto dhe produkteve të naftës nga Rusia.
Në një paketë të veçantë, BE ka vendosur sanksione ndaj 10 individëve dhe një entiteti për aktivitetet e tyre të konsideruara dashakeqe kundër Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, një entitet dhe 15 persona të tjerë janë futur në listën e sanksioneve për shkak të rolit të tyre të pretenduar në persekutimin, helmimin dhe vdekjen e opozitarit rus Alexei Navalny.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se masat e reja synojnë drejtpërdrejt strukturat që mbështesin makinerinë ushtarake ruse.
“Këto masa godasin në zemër të kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë, flotën e saj në hije dhe rrjetet që nxisin sulmet hibride të Moskës kundër Evropës”, u shpreh Kallas.
Ajo shtoi se puna për paketën e 21-të të sanksioneve tashmë ka nisur, duke theksuar se presioni ekonomik ndaj Moskës do të vazhdojë të rritet.
Sipas vlerësimeve të BE-së, sanksionet e vendosura deri më tani i kanë shkaktuar ekonomisë ruse humbje që variojnë nga 1 deri në 1.3 trilion euro. “Tullë pas tulle, ne po shembim themelet e ekonomisë së luftës së Rusisë”, deklaroi Kallas.



