Më shumë se 50 persona kanë mbetur plagosur si pasojë e shpërthimeve të ndodhura gjatë lutjeve të së premtes në një xhami në Indonezi, ndërsa autoritetet identifikuan një nxënës 17-vjeçar si autorin e dyshuar të krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:15 sipas orës lokale brenda një kompleksi shkollor që mbante xhaminë në Kelapa Gading, një lagje në kryeqytetin Xhakarta.
Të plagosurit, kryesisht nxënës, pësuan një sërë lëndimesh, përfshirë djegie të rënda. I dyshuari mbeti gjithashtu i plagosur, tha shefi i policisë së Indonezisë, Listyo Sigit Prabowo.
Një nxënës në shkollë i tha agjencisë qeveritare të lajmeve të Indonezisë, Antara, se një bombë e bërë në kushte shtëpie ishte sjellë nga një nxënës i cili shpesh ishte ngacmuar nga nxënës të tjerë.
Një oficer i lartë i Policisë Metropolitane të Xhakartës konfirmoi praninë e dy objekteve që ngjanin me armë zjarri në vendngjarje.
Imazhet sugjerojnë se një nga objektet dukej të ishte një mitraloz dhe një tjetër dukej si një pistoletë.
Objekti i tipit mitraloz duket se është i mbishkruar në tytën e tij me: “14 fjalë. Për Agarthën”.
Në trupin e saj, shkruan: “Brenton Tarrant. Mirë se vini në Ferr.”
Brenton Tarrant është autori i një të shtëne masive në vitin 2019 në një xhami dhe qendër islamike në Christchurch të Zelandës së Re, ku mbetën të vrarë 51 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Hetimet zbuluan se arma ishte lodër dhe jo e vërtetë. Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane në botë.



