
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar takimin e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump si “një nga bisedat më të mira” që kanë pasur ndonjëherë, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve për çështjen e Iranit dhe sigurinë rajonale.
Në një video të publikuar nga zyra e tij pas takimit me dyer të mbyllura, Netanyahu tha se biseda u zhvillua në frymën e “partneritetit të plotë” dhe “mbështetjes reciproke”.
“Ishte një bisedë me partneritet të plotë, me mbështetje të ndërsjellë dhe me mirëkuptim për objektivin e përbashkët që Irani të mos zotërojë armë bërthamore, si edhe për objektiva të tjerë”, deklaroi ai.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi nisi në orën 11:03 sipas kohës lokale dhe përfundoi në 12:25. Në të morën pjesë zyrtarë të lartë nga të dyja qeveritë, ndërsa mediat nuk u lejuan të ishin të pranishme.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi takimin si “pozitiv dhe produktiv”.
Nga ana tjetër, një zyrtar izraelit bëri të ditur se dy liderët diskutuan edhe për bashkëpunimin strategjik mes SHBA-së dhe Izraelit, si dhe për mundësi të ndryshme zhvillimi në Lindjen e Mesme.



