Në një analizë për MCN Live, historiani Olsi Jazexhi i ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si një përmbysje epokale, duke e krahasuar humbjen e Donald Trump dhe të Partisë Republikane me dështimin historik të vitit 1933 në kohën e Depresionit të Madh.
Sipas Jazexhiut, ky ndryshim radikal i peizazhit politik në Shtetet e Bashkuara, ku republikanët humbën Senatin dhe Kongresin ka ardhur kryesisht si pasojë e përfshirjes në konfliktet e Lindjes së Mesme dhe pakënaqësisë së thellë ekonomike të qytetarëve amerikanë.
Jazexhi tha se ndryshe nga viti 1933 ku faktori vendimtar ishte kriza e brendshme financiare, këtë herë dinamika u përcaktua nga ndërthurja e varfërisë me politikat e jashtme agresive.
Humbja e Trump ishte e jashtëzakonshme, një përmbysje që SHBA-ja nuk e ka përjetuar që nga humbja masive e republikanëve në vitin 1933 e lidhur drejtpërdrejt me Depresionin e Madh ku Presidenti Hoover e futi ekonominë; kjo e djeshme është një përsëritje e atij viti që amerikanët s'e kishin parë prej rreth 94 vitesh, një humbje e paparë ku e ardhmja e Trump është totalisht e pasigurt. Nëse në atë kohë kishim vetëm ekonominë, tani kemi luftën mes Iranit dhe Izraelit, ku njerëzit humbën prej varfërisë, rritjes së çmimeve dhe luftës kundër Iranit, pasi populli amerikan është i inatosur që kjo luftë e Trump ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre, duke qenë se ky konflikt nuk ishte i nevojshëm sepse Irani ishte totalisht i izoluar dhe nuk e kërcënonte SHBA-në. Kjo është një përmbysje që e përjetojmë një herë në një shekull dhe ndodhi si pasojë e kurthit ku Izraeli e futi Trump-in, i cili nuk e ka më të gjatë në janar kur të mblidhet Kongresi dhe Senati i ri, madje gjatë ditës së zgjedhjeve ai po e kuptonte humbjen masive dhe tha se do të ndalonte dërgimin e 4 miliardë dollarëve që i bëhen çdo vit Izraelit për të zbutur publikun, por kjo nuk pati efekt sepse amerikanët nuk duan që të preken taksat e tyre dhe gjërat të shtrenjtohen për izraelitët.
Jazexhi ngriti gjithashtu një alarm mjaft të rëndë për periudhën e tranzicionit të pushtetit deri në fillimin e vitit të ardhshëm, duke u shprehur se kontrolli aktual i strukturave mund të shfrytëzohet për lëvizje ekstreme ushtarake.
Nga janari që mblidhet Senati i ri, i cili do të dominohet nga demokratët që do të bëjnë çfarë kanë në dorë për të bllokuar qeverinë e Trump, kjo periudhë deri atëherë është jashtëzakonisht e rrezikshme për botën sepse Trump nga tani e deri në janar ka akoma Kongresin dhe Senatin aktual, dhe rreziku i madh ekziston se Benjamin Netanyahu mund t'i mbushë mendjen atij se 'ne të humbur e të humbur jemi' dhe se ata po përgatiten për një sulm nuklear me Iranin. Si Trump, ashtu edhe Netanyahu, janë si të vdekur që qëndrojnë mbi varr dhe të dy rrezikojnë seriozisht burgun; njëri në Izrael për atë që ndodhi më 7 tetor, ndërsa Trump përballet me qindra akuza që rëndojnë mbi të.
