Gjermanët po përdorin gjithnjë e më pak para në dorë.
Për herë të parë, pagesat pa cash kanë tejkaluar përdorimin e kartëmonedhave dhe monedhave në blerjet e përditshme.
Kështu njoftoi të mërkurën Banka Federale e Gjermanisë (Bundesbank).
Sipas një studimi të Bundesbank, në vitin 2025, 55% e transaksioneve u kryen me kartë bankare, smartphone ose përmes internetit, ndërsa 45% me para në dorë.
Ky ndryshim shënon një tjetër hap drejt digjitalizimit të pagesave në ekonominë më të madhe të Evropës.
Rënia e përdorimit të cash-it është e vazhdueshme prej vitesh.
Pjesa e pagesave me para në dorë ka rënë nga 83% në vitin 2008, në 58% në vitin 2021, 51% në vitin 2023 dhe tashmë nën 50% në vitin 2025.
Megjithatë, Bundesbank thekson se Gjermania mbetet ndër vendet evropiane ku përdorimi i parave në dorë është ende relativisht i lartë.
Kartat e debitit, veçanërisht sistemi “Girocard”, vijojnë të jenë mjeti më i përdorur për pagesat elektronike, ndërsa pagesat me telefon celular dhe platformat online po fitojnë gjithnjë e më shumë terren.



