Prokurorët e çështjes “Ura Morandi” kanë kërkuar 18 vjet e gjysmë burg për ish-drejtorin ekzekutiv të Autostrade Italia, Giovanni Castellucci. Siç raporton Corriere, prokurorët e çështjes, Walter Cotugno dhe Marco Airoldi, deklaruan në sallë se “kërkesa është maksimale, duke pasur parasysh seriozitetin e rastit”. Shembja e Urës Morandi më14 gusht 2018 u mori jetën 43 personave.
Sipas organit të akuzës, Castellucci ka qenë në dijeni të gjendjes së urës që nga viti 2009, por e shtyu ndërhyrjen për të siguruar fitim maksimal për kompaninë duke ulur kostot, zgjedhje që çuan në katastrofë.
Një enciklopedi faktorësh negativë kundër Castellucci-t, secili më serioz se i pari. Ky është niveli më i lartë i mundshëm i fajit.
Prokurorët thonë se Castelluccit i pëlqente t'u garantonte aksionarëve dividentë të mëdhenj. “Drejtori i atëhershëm - ky është arsyetimi i prokurorit - ishte si Lord Voldemort, emri i të cilit as nuk mund të përmendet. Ai kishte krijuar një klimë të tillë saqë kur shkruanin për të, vinin pika në vend të emrit të tij".
Dy kompanitë Aspi dhe Spea (dega që merrej me mbikëqyrjen e rrugës) arritën një marrëveshje pranimi të fajësisë. Ato paguan një total prej 29 milionë eurosh me të cilat u kompensuan pothuajse të gjithë të afërmit e viktimave jashtë gjykatës dhe financuan ndërtimin e urës së re.
Për shembjen e urës Morandi janë 57 të pandehur. Akuzat variojnë nga vrasje pa dashje, vrasje me automjet, shkelje e rregullave të sigurisë në vendin e punës dhe falsifikim. Shtatë vjet pas katastrofës dhe më shumë se tre vjet pas fillimit të gjyqit, qëllimi është të arrihet një vendim deri në verën e vitit 2026.



