Më shumë se 900 persona dyshohet se janë prekur nga Ebola në Republikën Demokratike të Kongos.
Lajmin e njoftoi të dielën në mbrëmje Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
"Ndërsa përpjekjet e mbikëqyrjes janë intensifikuar në luftën kundër Ebolës në DRC, deri më sot janë identifikuar më shumë se 900 raste të dyshuara, përfshirë 101 raste të konfirmuara ", shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në X, pa përmendur numrin e vdekjeve.
Në një përditësim të fundit të publikuar të shtunën, Ministria e Shëndetësisë e vendit tregoi se epidemia kishte shkaktuar 204 vdekje nga 867 raste të dyshuara.
Vendi shpalli një shpërthim të Ebolës më 15 maj, të shkaktuar nga virusi Bundibugyo, kundër të cilit aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik, dhe i cili ka një shkallë vdekshmërie deri në 50%. OBSH-ja ka lëshuar një alarm ndërkombëtar shëndetësor.



