Kostoja në rritje e jetesës ka bërë "fjalë për fjalë të pamundur" ruajtjen e formatit origjinal me dy pjesë të shfaqjes së famshme “Harry Potter dhe Fëmija i Mallkuar” në West End të Londrës.
Producentja Sonia Friedman bëri me dije se kostot e prodhimit janë rritur me 30% deri në 40% që nga periudha e pandemisë. Për të shmangur rritjen e çmimit të biletave në nivele të papërballueshme për publikun, produksioni është reduktuar në një shfaqje të vetme tre-orëshe që do të rihapet muajin e ardhshëm.
Ky ndryshim në skenarin e Londrës vjen pas një lëvizjeje të ngjashme që u ndërmor në Broadway të Nju Jorkut në vitin 2021.
Regjisori John Tiffany pranoi se procesi i shkurtimit të shfaqjes origjinale të vitit 2016 ishte i vështirë, por theksoi se formati i ri do t'u mundësojë më shumë njerëzve ta ndjekin atë pa paguar shuma marramendëse.
Versioni i riimagjinuar do të mbajë disa nga aktorët kryesorë origjinalë, si David Ricardo-Pearce në rolin e Harry Potter, ndërsa janë përzgjedhur aktorë të rinj për personazhet e fëmijëve të kastit.



