Miliona njerëz në Kuba kanë mbetur pa energji elektrike pas shembjes së rrjetit kombëtar të hënën, sipas operatorit shtetëror UNE, i cili po punon për rikthimin gradual të furnizimit në të gjithë vendin.
Kriza energjetike është pjesë e një serie ndërprerjesh të përsëritura, të nxitura nga mungesat kronike të karburantit dhe presioni në rritje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi furnizimet me naftë drejt ishullit.
Venezuela, një nga furnizuesit kryesorë, ka ndërprerë dërgesat, ndërsa Uashingtoni ka shtuar sanksionet dhe ka kërcënuar me tarifa ndaj vendeve që eksportojnë naftë drejt Kubës.
Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel tha se asnjë dërgesë nafte nuk ka mbërritur në tre muajt e fundit, duke thelluar krizën. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar retorikën ndaj Havanës, duke e cilësuar vendin “të dobësuar”.
Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë kanë rritur pakënaqësinë publike dhe kanë nxitur protesta sporadike në vend, ku qytetarët po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira jetese.



