
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor janë pa asnjë dyshim përgjegjëse për intensitetin e valës rekord të të nxehtit që ka përfshirë Europën gjatë muajit qershor.
Ky është përfundimi i një studimi të publikuar të premten nga grupi i shkencëtarëve "World Weather Attribution".
Sipas studimit, temperatura të tilla ekstreme do të kishin qenë "praktikisht të pamundura" të ndodhnin në qershor 50 vite më parë. Studiuesit nga Europa, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar vlerësojnë se një valë e ngjashme të nxehti në qershorin e vitit 1976 do të kishte qenë mesatarisht 3.5 gradë Celsius më e freskët gjatë ditës.
Autori kryesor i studimit, Theodore Keeping nga Imperial College London, theksoi se planeti është tashmë shumë më i ngrohtë dhe se probabiliteti për ngjarje të tilla ekstreme është rritur ndjeshëm.
"Një ngjarje e tillë nuk do të kishte qenë e mundur në qershor pa ndikimin e ndryshimeve klimatike," deklaroi ai.
Sipas shkencëtarëve, temperatura mesatare globale është rritur me rreth 1.4 gradë Celsius krahasuar me periudhën para-industriale, kryesisht si pasojë e djegies së qymyrit, naftës dhe gazit.



