Koreja e Veriut, nëpërmjet udhëheqësit të saj suprem Kim Jong Un, e ka lënë hapur derën për një rifillim të mundshëm të dialogut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që në të njëjtën kohë ka ashpërsuar armiqësinë e saj ndaj Koresë së Jugut, në një veprim që analistët besojnë se synon të menaxhojë drejtpërdrejt marrëdhëniet me Uashingtonin, duke përjashtuar Seulin.
Në një raport të publikuar sot mbi kongresin njëjavor të Partisë së Punëtorëve në Phenian, udhëheqësi Kim Jong Un tha se: “Nuk ka asnjë arsye pse të mos shkojmë mirë me Shtetet e Bashkuara, me kusht që Uashingtoni të respektojë“pozicionin aktual të shtetit tonë të sanksionuar në Kushtetutë dhe të braktisë“politikën e tij armiqësore ndaj Republikës Popullore Demokratike të Koresë”.
Perspektiva e marrëdhënieve midis Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara varet tërësisht nga qëndrimi i palës amerikane, tha Kim, duke shtuar se Pheniani është gati si për bashkëjetesë paqësore ashtu edhe për konfrontim të përjetshëm, dhe se zgjedhja nuk varet prej tyre.
Ekspertët thonë se referenca ndaj pozicionit aktual tregon kërkesën e Koresë së Veriut për njohje si shtet me armë bërthamore dhe braktisjen e qëllimit të SHBA-së për denuklearizim si parakusht për dialog.
Ky qëndrim, i shprehur tashmë nga Kim shtatorin e kaluar, rrit, sipas analistëve, mundësinë e një përgjigjeje pozitive ndaj propozimeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili pritet të vizitojë Kinën në muajin prill. Pheniani mund të përpiqet të sigurojë njohjen e statusit të tij bërthamor duke shfrytëzuar përparimin në programet e tij raketore dhe bërthamore dhe duke forcuar lidhjet me Rusinë.
Megjithatë, në frontin ndërkorean, Kim e shtrëngoi më tej kontrollin e tij, duke i quajtur marrëdhëniet me Republikën e Koresë (Korenë e Jugut) “marrëdhënien më armiqësore midis shteteve” dhe duke deklaruar se Pheniani nuk ka asgjë për të diskutuar me Seulin, i cili do të përjashtohet përgjithmonë nga kategoria e bashkatdhetarëve.



