
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së ka paralajmëruar se një mbyllje e zgjatur e trafikut detar përmes Ngushtica e Hormuzit mund të shkaktojë një krizë serioze globale ushqimore, nëse furnizimet nuk rikthehen shpejt në normalitet.
Sipas FAO-s, një pjesë e madhe e furnizimeve jetike për bujqësinë botërore—përfshirë naftën, gazin natyror, ureën dhe plehrat kimike—po hasin vështirësi në qarkullim për shkak të pasigurisë në këtë korridor strategjik detar, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Kryeekonomisti i FAO-s, Máximo Torero, deklaroi se situata është kritike dhe se “ora po ecën” për të shmangur një krizë ushqimore me përmasa globale, potencialisht të krahasueshme me goditjet ekonomike të pandemisë COVID-19.
Ai theksoi se çdo vonesë në furnizimin e inputeve bujqësore mund të ndikojë drejtpërdrejt në ciklin e mbjelljeve dhe në uljen e prodhimit ushqimor në muajt në vijim. Kjo, sipas tij, do të ndikonte veçanërisht vendet me të ardhura të ulëta, të cilat janë më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve dhe mungesave në treg.
Edhe drejtori i Divizionit të Ekonomisë dhe Politikave Agroushqimore në FAO, David Laborde, paralajmëroi se çdo kufizim në tregtinë globale të ushqimit dhe energjisë do të kishte pasoja të rënda zinxhir për ekonomitë më të brishta.



